Sot u dhunua një nga institucionet që i jep frymë vendit!

Nga Marjon Gorica

Ministria e Brendshme është sinonimi i luftës kundër krimit. Është misioni i Shtetit për të ruajtur rendin dhe sigurinë, mbi të gjitha është vizioni i fuqisë së ligjit. Besoj fort në marrëveshjen e fjalës, ndaj sot dua të theksoj rolin që ky institucion ka në rregullimin e marrëdhënieve jetike sociale të individëve dhe institucioneve të tjera.

Historikisht Ministria e Brendshme është konsideruar një nga ministritë më të vështira për tu menaxhuar, fasha e përgjegjësisë që drejtimi i saj mban, kalon shpesh përtej përmasave të politikanit, liderit, apo gjeneralit që e drejton. E cilësuar që prej krijimit të saj nga qeveria e Ismail Qemalit si ministria me peshën më të madhe organizative, komplekse dhe plot dritëhije që zgjatën në kohë, unë mendoj se ndoshta është institucioni më i ndjeshëm përballë cdo lëvizje që tenton të destabilizojë situatën në vend.

Sulmi që u bë sot kundër Ministrisë së Brendshme, është një sulm që u drejtohet të gjithë shqiptarëve. Unë mendoj se së pari ndershmëria e një politikani, fshihet në dashurinë që ai ka për vendin e tij. Unë mendoj se forca jonë për të qenë të vërtetë, gjendet në besimin që ne kemi te institucionet e vendit tonë. Më tepër se në rolin e gazetarit, sot dua ta dënoj aktin e derdhjes së bojës në Ministrinë e Brendshme, si qytetar i Republikës së Shqipërisë.

Sot opozita protestuese kreu një akt të turpshëm ndaj Shqipërisë. Sot nuk u përlye me bojë as kryeministri i vendit, as qeveria e tij, as ministri e as një deputet i sapo zgjedhur. Sot u dhunua një nga institucionet që i japin frymë Shqipërisë!

Postoni Komentin Tuaj

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*