Sot, ora 18:00, protestë para dyerve të Bashkisë

Rritja e çmimit të ujit ka qenë kryefjala e këtyre ditëve në Tiranë. Ka qenë kryebashkiaku Erion Veliaj ai i cili ka bërë më dije se çmimi do të rritet për të investuar në rrjetin e ujësjellësit.

Kanë qenë të shumta reagimet e qytetarëve, të cilët kanë dalë hapur duke e kundështuar këtë vendim të kryetarit të bashkisë. Por, duke mos marrë asnjë përgjigje nga persona të autorizuar, Shoqëria Civile, sëbashku me qytetarët e Tiranës, do të dalin në protestë ditën e sotme në orën 18:00 përpara dyerve të Bashkisë Tiranë.

Po sot, në orën 18:00 , do të mblidhet Këshilli Bashkiak ku pritet të ketë debate të ashpra midis këshilltarëve të majtë e atyre të djathtë.

Më herët, PD ka dalë kundër këtij propozimi nga ana e kryetarit të bashkisë. Por, edhe LSI ka qenë e qartë në vendimin e vet. Këshilltarët e LSI kanë thënë se është populli ai që duhet të vendosë dhe se duhen bërë dëgjesa publike me qytetarët.

Shoqëria Civile kërkon nga Veliaj që të menaxhojë më mirë mbledhjen e pagesës së ujit dhe jo të ecë me idenë se kush është pagues i rregullt duhet të paguajë më shumë. Aktivistët akuzojnë kryebashkiakun për sajim të krizës së ujit për të mbuluar rritjen e ndjeshme që po iu bëhet qytetarëve të Tiranës.

Nga fjalët e kryebashkiakut theksohet se do bëhet kjo rritje për të pasur ujë 24 orë pa ndërprerje brenda 5 viteve të ardhshme. Por, sa mund t’i besojë populli këto fjalë kur para pak kohësh ishte po kryebashkiaku i cili u shpreh se do të ketë kufizime të ujit dhe do të dënohen ata të cilët e shpërdorojnë, sepse nuk ka mundësi të furnizohet i gjithë qyteti me ujë.

Sot 2/3 e Tiranës nuk e paguan ujin. A është normale për një kryeqytet që pretendon të futet në Bashkimin Europian?

Shoqëria Civile sot do të dali për të protestuar për të mbrojtur xhepat e paguesve të rregullt të ujit. Ata ftojnë çdo qytetar të ndershëm të Tiranës të marrë pjesë në këtë protestë.

Postoni Komentin Tuaj

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*