Një Shqipëri në kaos. A është e drejtë kjo?

Nga Refxhei Tola

Shqipëria është vendi që e krijoi Zoti, e shpëtoi rastësia dhe do ta vrasin shqiptarët… Gjithnjë ne shqiptarët jemi shquar për guximin me tepri, atë guxim që sikurse na ka dhënë pavarësi, edhe na ka skllavëruar për shekuj me rradhë. Situata e sotme politike është e frikshme. Është absolutisht e papërgjegjshme përballë shoqërisë shqiptare, një shoqëri e vuajtur dhe e lodhur, një shoqëri e pangrënë në të shumtën e saj dhe e sëmurë mendërisht dhe shpirtërisht.

Opozita jep dorëheqjen nga mandatet e saj në Kuvend. Praktikisht jeta demokratike parlamentare në Shqipëri paralizohet. A është e drejtë apo jo kjo ende nuk ka një përgjigje objektive. Personalisht më trondit ideja që pjesë e Kuvendit është vetëm një parti. Partia më e madhe në vend. Më trondit ideja që për gjërat që unë nuk i dua dhe nuk i pëlqej në këtë qeverisje, unë nuk e kam një zë në Kuvend. Po aq sa më trondit edhe ideja e një zëri të padëgjuar nga qeveria, sikurse ka ndodhur gjatë këtyre dy viteve…

Mezi e prisja sot reagimin e kryeministrit, prej të cilit mora mesazhin se kjo situatë nuk do e ketë një zgjidhje “teknike”. Partia Socialiste do të vazhdojë punën e saj normalisht, edhe pa opozitën. Po kjo është e drejtë? As për këtë mendoj se nuk ka akoma një përgjigje.

Ajo që unë mendoj se di ti përgjigjem është se Shqipëria nuk e meriton këtë situatë, dhe as shqiptarët nuk e meritojnë këtë gjendje. Ndoshta ne nuk e meritojmë fare këtë kastë që unë besoj me shpirt se koha e së cilës ka marrë fund.

Postoni Komentin Tuaj

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*